Është prezantuar si një “ilaç mrekullie” nga të famshmit, përdorues mes të cilëve edhe manjati i teknologjisë Elon Musk.
Por Ozempic, efektet e humbjes së peshës së të cilit janë bërë virale në mediat sociale, fillimisht ishte përshkruar për të ndihmuar në luftimin e diabetit të tipit 2 .
Pse Ozempic është aktualisht në trend në Hollywood dhe a është me të vërtetë zgjidhja e duhur për të humbur peshë?
Çfarë është Ozempic? –Ozempic, emri tregtar i përbërësit aktiv semaglutide, është një ilaç injektues i formuluar për të ndihmuar të rriturit me diabet të tipit 2 të menaxhojnë sheqerin e tyre në gjak.
Menaxhimi i niveleve të sheqerit në gjak – Ozempic, i prodhuar nga kompania farmaceutike Novo Nordisk, merret si një injeksion i vetë administruar një herë në javë për të menaxhuar nivelet e glukozës në gjak.
Përdorimi – Ozempic fillimisht u miratua nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të trajtuar njerëzit me diabet të tipit 2 dhe që rrezikonin pasoja të rënda shëndetësore pa mjekim.
Redukton oreksin – Ozempic zvogëlon oreksin tuaj kështu që ju hani më pak. Gjithashtu ngadalëson lëvizjen e ushqimit në zorrë, që do të thotë se ju qëndroni të ngopur për më gjatë. Si rezultat i këtyre përfitimeve për humbjen e peshës, ka pasur një rritje të kërkesës për Ozempic… nga njerëzit pa diabet të tipit 2.
Ozempic bëhet viral – Lajmet për efektet e Ozempic për humbjen e peshës janë bërë virale në mediat sociale. Ky ilaç mund të merret vetëm me recetë. Por ka një tendencë në rritje ku njerëzit po marrin Ozempic përmes recetave “jo të nevojshme”, veçanërisht për humbje peshe. Në fakt, ilaçi shihet nga disa njerëz me mbipeshë si një mënyrë e shpejtë dhe e përshtatshme për të humbur peshë. Obeziteti përkufizohet si i tillë kur keni një indeks të masës trupore (BMI) prej 30 ose më lart.
Mbështetja e të famshmëve – Përdorimi i Ozempic është bërë një modë e shëndetit e nxitur nga miratimet e të famshmëve. Miliarderi teknologjik Elon Musk kohët e fundit u tha 116 milionë ndjekësve të tij në Twitter se ilaçi qëndron pas dobësimit të tij të fundit. Boris Johnson, Ish-kryeministri britanik Boris Johnson është një tjetër individ që flet për virtytet e Ozempic.
A është i sigurt? – Ndërsa ilaçi është bërë viral, pyetja mbetet, a është Ozempic i sigurt në mënyrën se si po përdoret? Ekspertët theksojnë se efektet anësore të ilaçit mund të përfshijnë të përziera, diarre, të vjella, dhimbje stomaku dhe dhimbje koke. Disa përdorues kanë pohuar se kanë humbur kënaqësinë e të ngrënit. Në fakt, një efekt anësor më pak i zakonshëm i Ozempic është shija e ndryshuar. Ozempic mund të shkaktojë reduktim të funksionit të veshkave.
A funksionon në të vërtetë? – Sipas Institutit Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin në Mbretërinë e Bashkuar (NICE), Ozempic mund t’i ndihmojë njerëzit të ulin peshën e tyre me më shumë se 10%. Por kjo humbje peshe mund të arrihet vetëm nëse përdoruesit e kombinojnë atë me ndërhyrje të tjera të stilit të jetesës, për shembull një dietë me kalori të ulët dhe aktivitet fizik.