Regjisori serb, Stevan Filipoviç, njëri prej zërave më të zëshëm në Serbi kundër regjimit atje, në një intervistë për gazetën boshnjake “Slobodna Bosna”, për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se është “mbetje” e nacionalizmit të viteve të 90-ta dhe si i tillë, do të përfundojë si ish-paraardhësi i tij Sllobodan Millosheviç.
Mijëra njerëz mblidhen për çdo javë në Beograd nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Protestuesit bëjnë vazhdimisht thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë shtetëror dhe kufizimin e përmbajtjeve të dhunshme në media, pasi dy raste të vrasjeve masive e tronditën Serbinë në muajin maj.
“Mendoj se është diçka që ka vite që po zihet te qytetarët dhe tani sapo ka shpërthyer. Sllobodan Millosheviçi përfundimisht ra për shkak të një sërë protestash të ngjashme, por duhet të jemi të vetëdijshëm se është një maratonë, jo një sprint. E njëjta gjë do të ndodhë me autokratin Vuçiç, i cili po shkon drejt diktaturës”.
Ai ndër të tjera ka thënë se presidenti serb është një “mbetje e viteve të 90-ta”, ndërsa ka shtuar se dikur asistenti i ish-zëvendëskryeministrit të Serbisë, tani udhëheqës i Partisë Radikale, Vojsllav Sheshel, tani ka pushtet absolut që duket më shumë si një “kompani private” sesa një shtet.
“Mendoj se është shumë e rrezikshme dhe qindra mijëra qytetarë në Serbi që dolën në rrugë gjatë këtyre protestave e ndajnë këtë mendim. Çfarë do të ndodhë më pas varet nga aftësia e qytetarëve për t’u artikuluar politikisht dhe përfundimisht për të gjetur një partner. Kjo është gjithashtu pjesë e problemit”.