Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë tha të premten se ka refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit, duke nxitur reagime në shkallë të gjerë dhe shqetësime për lirinë e medias në vend.
Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet ankesa është refuzuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe tashmë çështja është përmbyllur si rast brenda ministrisë, ndërsa “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.
Me 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Komisioni i Ankesave, sipas ministrisë, ka “gjetur përpjekje të vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, të cilat ende nuk kanë shkuar deri në fund”.
Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.
“Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim në të cilin paralajmërohet dërgimi i cështjes në gjykatë.
Shoqatat e gazetarëve, përfaqësues të medieve por edhe përfaqësues të opozitës u shprehën të alarmuar me njoftimin e minitrisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është i tronditur me vendimin e qeverisë (Albin) Kurti për mbylljen e Klan Kosova duke e cilësuar si goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e Asociacionit.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe qeveria e kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend.
“Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në reagim duke shprehur besimin se gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez në reagimin e tij tha se ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. “Qeveria më në fund ia doli që të mbyllë kanalin televiziv Klan Kosova. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në joliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e Bashkimit Evropian”, shkroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasiqi tha se vendimi i Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, duke i marrë çertifikatën e biznesit, “është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon!”, shkroi zoti Krasniqi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. Ai shkroi në rrjetet sociale se “në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, shkroi ai duke i ftuar organet e drejtësisë, gjykatat e republikës, të bëjnë detyrën e vet, të mbrojnë vet demokracinë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kritikoi ashpër qeverinë për vendimin.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet!”, shkroi mes tjerash zoti Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.