NJU JORK, 2 gusht /– Ambasadorja e SHBA-së në OKB ka shprehur optimizëm se bisedimet për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas përmes Detit të Zi mund të rifillojnë.
“Ne kemi parë indikacione se Rusia mund të jetë e interesuar të kthehet në diskutime”, tha Linda Thomas-Greenfield në Nju Jork, ndërsa SHBA mori presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Pra, ne do të presim për të parë nëse kjo ndodh në të vërtetë”, shtoi ajo.
E pyetur nëse janë ndërmarrë ndonjë hap konkret për t’u kthyer në marrëveshje, nga e cila Rusia u tërhoq në mes të korrikut, Thomas-Greenfield tha se ajo nuk “ka parë ende asnjë provë për këtë”.
”Por unë dyshoj se ata e dinë nëse duan të nxjerrin plehrat e tyre kimike në treg, duan vazhdimin e përpjekjeve për të gjetur një mënyrë për të bërë pagesat që kërkojnë, se do t’u duhet të kthehen në këtë marrëveshje. Kështu që unë vazhdoj të jem me shpresë, pavarësisht faktit se nuk ka shumë për të shpresuar”, theksoi ambasadorja.
Rusia u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja njëvjeçare që lejoi eksportin e gati 33 milionë tonëve drithëra ukrainase dhe produkte të tjera ushqimore nëpërmjet Detit të Zi, pavarësisht ankesat ndërkombëtare./