Kreu i Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Tirana është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave. Ndërsa thekson se çmimet në kryeqytet janë ndër më të shtrenjtat në Evropë.
“Shqipëria sot renditet e para në Europë, e para me distancë në treguesin e ndërtimit. 3 milionë metër katror ndërtohen vetëm në Tiranë, ndërkohë që nevoja vjetore e vendit është 1 mln metër katror. Nuk ka lavatriçe më gjigante të parave të krimit, se sa Tirana sot.
Çmimet këtu janë të tretat më të shtrenjtat në Europë. I ndërton droga, i blen droga dhe i shet droga. Dhe në këto operacione, klanet përsëri i përdorin këto para, për të pushtuar territoret, pasi tani kanabisin e kanë të dytë, kanë të parë kokainën dhe opiumin”, ka deklaruar Berisha
Sipas Berishës, me veprimet e saj qeveria ka favorizuar fenomenin me kreditë që shkon e merr në euro sa i përket investimeve.
“Qeveria me të gjitha veprimet e saj financiare, ka favorizuar pikërisht këtë fenomen, me kreditë që shkon e merr në euro, me mbajtjen e investimeve.
Pra është krijuar një raport shkatërrues për ekonominë, dëshmi më flagrante cilësore e narkoshtetit.
Kjo që ne shohim sot, është shfaqja më e sigurt e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që është narkoshteti shqiptar.
Gjithçka është në funksion të këtyre klaneve kriminale. Nga dera e asaj ndërtese që është përtej rruge, dalin dhe hyjnë përfaqësuesit e kartelit më të rrezikshëm në botë, të Sinaloas në Meksikë”, është shprehur Berisha.
Ish-kryeministri ka shtuar se “nga interceptimet që u publikuar, që nuk janë as maja e ajsbergut, ku miku strategjik i Edi Ramës drejtonte vrasje dhe trafiqe dhe drekonte e darkonte me kryeministrin sikur të ishte më shumë se çdo ministër i tij me të, tregon se cila është fuqia e jashtëzakonshme e klaneve të drogës në këtë vend. Ata janë vendimmarrësit absolut.”