Ndërtimi i kullës pas Teatrit të Operas dhe Baletit ka ndezur skenën politike gjatë ditëve të fundit dhe ka ngritur në protesta qytetarët kundër kësaj vepre.
E ndërsa aktorë të ndryshëm në politikë e konsiderojnë ndërtimin e kullës si një heqje vëmendje nga çështja e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama ka bërë reagimin e tij të parë për atë që e ka cilësuar si “Kulla e radhës dhe mullari i baltës”.
Kreu i qeverisë ka dhënë detaje, që nga konkursi ndërkombëtar i organizuar një vit më parë, te fitorja e projektit nga studioja daneze CEBRA dhe pagesa e 4 milionë eurove taksë ndaj bashkisë Tiranë, deri të akuzat nga opozita dhe zhvillimet e pritshme në të ardhmen.
Ndalur te projekti fitues, Rama u shpreh se nuk pati asnjë kontestim dhe gjeti pasqyrim në të gjitha mediat, qoftë ato shqiptare, edhe ato ndërkombëtare.
“Pas përgatitjes thuajse njëvjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75-vjeçare, 18.000 inxhinjerë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë € në Bashkinë e Tiranës, kompania zhvilluese në marrëveshje me pronarët e tokës, që zakonisht në Tiranë përfitojnë deri gjysmën e investimit, rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit,” tha Rama.
Referuar kallëzimit të bërë në SPAK nga këshilltarët e PD-së në bashkinë e Tiranës për ndërtesën 185 metra të lartë, që do të ndërtohet pas TKOB, kryeministri u shpreh se po e detyrojnë organin më të lartë të akuzës të merret me letra anonime.
“U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha ai.
Në përfundim të postimit të gjatë në rrjetin social Facebook, kryeministri u ndal te projektet e ardhshme, të cilat ai mendon se do e nxjerrin Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore.
“Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin,” përfundoi Rama.