Dy vëllezër kanë mbetur të plagosur me thikë pas një sherri për motive të dobëta në Tiranë, ndërkohë që pas hekurave përfundoi autori i dyshuar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi 35-vjeçari Gert Latifi, banues në Lushnjë.
I riu pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit me inicialet R. A., 26 vjeç dhe V. A., 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar.
NJOFTIMI I POLICISE
Plagosi rëndë me mjet prerës, 2 shtetas (vëllezër), dhe më pas u largua, kapet dhe vihet në pranga, pas ndjekjes intensive nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar.
Procedohet në gjendje të lirë një 17-vjeçar, për moskallëzim krimi. Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1150 euro dhe mjeti prerës me të cilin është kryer plagosja e 2 vëllezërve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve që kryejnë vepra penale, pas informacioneve se një shtetas kishte plagosur rëndë me mjet prerës 2 vëllezër, në rrugën “Thoma Koxhaj”, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tracking”, për kapjen e tij.