“Giorgia është e pabesueshme. Do të thosha që ka lindur një miqësi mes nesh.“
Kështu i është drejtuar kryeministri Edi Rama homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, në një intervistë për të përditshmen “La Stampa“.
Meloni vizitoi disa ditë Shqipërinë për pushime me familjen, duke kaluar kohë edhe në rezidencën e kryeministrit në Vlorë.
Në intervistën për gazetën italiane, Rama hodhi poshtë aludimet mediatike për një takim të sajin me ish-kryeministrin britanik Toni Bler, edhe ai i ftuar nga kryeministri shqiptar.
“[Me Melonin] folëm gjerësisht për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për integrimin europian, të cilin ajo e quan ribashkim,” tha Rama, në lidhje me anëtarësimin e vendit në BE.
“Giorgia më tha që është koha t’i futemi punës,” shtoi kryeministri shqiptar.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik italo-shqiptar, Rama sqaroi se ka shumë gjëra që priten dhe njoftoi se Komiteti Strategjik për Investimet Italiane do të takohet së shpejti.
“Folëm për projektin e ujësjellësit nga Shqipëria në Puglia, të cilin Andreotti dhe Berlusconi tashmë e donin. Do të ishte diçka me rëndësi. Bëhet fjalë për lidhjen e burimeve të Shqipërisë Jugore me Italinë. Pastaj, duhet menaxhuar rrjeti hekurudhor i Ballkanit, i cili duhet të zhvillohet.
Në fund, teknologjia: ka ndërmarrje të mëdha italiane, të cilat kanë treguar interes në të kaluarën. Është edhe projekti i linjës energjetike, që do e lidhte Italinë me Shqipërinë. [Meloni] është nga ato gra që mund t’i vërë gjërat në lëvizje. Kam shumë besim!” tha kryeministri Rama.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të vijë sërish në Shqipëri në muajin tetor për të marrë pjesë në samitin për Procesin e Berlinit.
Samiti bëhet në kuadër të synimeve të Bashkimit Europian për ta anëtarësuar rajonin e Ballkanit brenda familjes europiane.
Kryeministri Rama mendon se megjithëse Meloni përfaqëson vijën e ashpër politike në vendin e saj, kur bëhet fjalën për politikën ndërkombëtare, ajo mbetet mike e Shqipërisë.
“Ajo është e djathtë, por e kanë quajtur një fashiste monstër që po shkon në Bruksel. Në fakt, që nga dita e parë, nuk ka bërë asnjë gabim për sa i përket politikës ndërkombëtare,” përfundoi kreu i qeverisë shqiptare për La Stampa.