Fejesa luksoze e një milioneri italian rezultoi të ishte asgjë më shumë se një kurth i përgatitur mirë për të fejuarën e tij, të cilën ai e akuzoi publikisht për tradhti.
Shoqëria e lartë italiane u trondit nga ajo që ndodhi në pallatin e 64-vjeçarit Massimo Segre në Torino. Të ftuarit e përzgjedhur që kishin ardhur për të festuar fejesën e bankierit me 47-vjeçaren Christina Seimandi, dëshmuan ndarjen e tyre publike, ku milioneri ekspozoi gruan në fjalimin e tij dhe i sugjeroi të shkonte në Mykonos me të dashurin e saj.
Ndërsa Segre përgatitej të fillonte fjalimin e tij në festë, të gjithë prisnin që ai të fliste me fjalë të buta për gruan me të cilën ai, me sa duket kishte zgjedhur të kalonte pjesën tjetër të jetës. Megjithatë, fjalët e para që dolën nga goja e tij treguan se qëllimet ishin krejtësisht të ndryshme.
“Dua t’i jap Kristinës lirinë për të dashuruar. Më konkretisht, të duash një person tjetër, një avokat të dalluar për të cilin padyshim që kujdeset më shumë se sa për mua.
E dashura ime Christina, e di sa e dashuruar je me të shpirtërisht dhe seksualisht. Dhe e di që më parë keni pasur lidhje me një industrialist që njihni”, vijon 64-vjeçari duke lexuar “akuzën” nga një copë letër dhe duke i hedhur një sy gruas 47-vjeçare që i qëndron e shtangur përballë rreth 150 të ftuarve të tyre.
“Mos mendo se më vjen mirë të dukem si një qyqe para të gjithëve. Kristina është aq e mirë në paraqitjen e të vërtetave të saj, sa nuk mund t’i besoja asaj për t’ju thënë arsyen pse po i jap fund lidhjes sonte. Është një histori banale e tradhtisë para se të bëhet dasma. Jam shumë i zhgënjyer dhe i trishtuar”, shton bankieri, përpara se t’i urojë më të mirat ish të fejuarës dhe t’i sugjerojë të shkojë në Mykonos (ku të dy do të udhëtonin pas festës) me të dashurin e saj, pasi “gjithçka është e paguar”.
Menjëherë pasi Segre mbaroi fjalimin e tij, dritat u zbehën dhe ai u largua.
Sipas mediave italiane të cituara nga gazeta britanike, shumë nga të ftuarit e festës u mërzitën nga mënyra se si miku i tyre milioner zgjodhi të trajtonte ndarjen e tij, duke i përdorur si shikues në emisionin që përgatiti.
Ai akuzon Seimandin se ka “vjedhur” 700 mijë euro nga llogaria e përbashkët e çiftit, ndonëse pohon se transferimi i parave është bërë me pëlqimin e tij, para se të ndaheshin.