Ksamili, perla e bregdetit shqiptar/ Rëra, deti dhe ushqimi tërheqin turistët

albnews
By
2 Min Read

Po të udhëtosh pak kilometra në jug të Sarandës do të gjesh Ksamilin, një nga surprizat më të mrekullueshme që ofron turizmi shqiptar.

Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me Butrintin.

Vitet e fundit ky vend ka tërhequr vëmendjen e plot medieve ndërkombëtare, që e kanë vendosur në listat e destinacioneve të jugut të Evropës që nuk duhen humbur.

Kjo zonë bregdetare ka tërhequr ndërkaq vëmendjen e shumë turistëve,  të cilët kalojnë pushimet verore duke i tejmbushur plazhet e Ksamilit.

Këta të fundit vlerësojnë bukurinë që mbart ky vend duke shtuar dhe pjesën e shërbimeve që janë të mira.

Sot në mëngjes erdha në Ksamil. Plazhi është i shkëlqyer. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Deti i kaltër. Jeta dhe njerëzit janë arsyeja që më bëjnë ta dua Shqipërinë. Kam dëgjuar që keni distoteka dhe dua te shkoj të argëtohem,” thotë një turist nga Pulja e Italisë. 

Është hera ime e parë në Ksamil. Deti është shumë i bukur, i pastër. Është fantastik. Kuzhina po ashtu, është e shijshme, çdo gjë është e freskët. Diferenca midis plazheve të Italisë dhe Shqipërisë është te pastërtia dhe bukuria që ka bregdeti juaj,” shprehet një tjetër turiste italiane.

Ajo çka të bën përshtypje sapo mbërrin në fshatin e Ksamilit është mundësia e të zgjedhurit mes disa plazheve spektakolare, që plotësojnë njëra-tjetrën.

Secili prej nesh ka një version të caktuar të blusë apo kaltërsisë së detit që i pëlqen më shumë se versionet e tjera, por në plazhet e Ksamilit mund të gjendet ekzaktësisht ai tonalitet i detit që keni ëndërruar aq shumë gjatë ditëve të tjera të vitit, shoqëruar dhe nga rëra e pastër dhe e ngrohtë.

Share This Article