Presidenti i Fondacionit të “Shoqërisë së Hapur”, Alex Soros, në një shkrim të tij për prestigjiozen amerikane “Politico”, ka thënë se anëtarësimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian “është jetik”, për të kundërshtuar kështu përpjekjet për të rindezur konfliktet në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, pas tensioneve të fundit të krijuara në këto dy vende.
“Anëtarësimi në BE është jetik për të siguruar unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit për të kundërshtuar përpjekjet për ta rindezur konfliktin në BeH dhe Kosovë, për shembull, dhe për t’i dhënë Rusisë një hapsirë. Përveç kësaj, anëtarësimi në BE do të forcojë sigurinë evropiane dhe do të shmangë krijimin e një vakumi gjeopolitik”, theksoi ai.
Këto komente, Soros i ka bërë pas lajmeve se fondacioni që ai e drejton do të largohet nga veprimtaria e tij në Evropë.
Ai ka mohuar një gjë të tillë, porse ka pranuar që ky fondacion do të largohet vetëm nga disa fusha të punës në kontinentin e vjetër, dhe se do të reduktojë numrin e punonjësve.
“Pra, ndërsa OSF-ja ripunon mënyrën se si funksionon globalisht, ne po i zhvendosim prioritetet tona në Evropë në përputhje me rrethanat. Po, kjo do të thotë se ne do të largohemi nga disa fusha të punës pasi fokusohemi në sfidat e sotme, si dhe në ato me të cilat do të përballemi nesër. Dhe po, ne gjithashtu do të reduktojmë ndjeshëm numrin e punonjësve, duke kërkuar të sigurojmë që më shumë para të shkojnë atje ku nevojiten më shumë”, ka thënë Soros.
Por, thekson ai, “kjo nuk është një lloj tërheqjeje”.
Soros ka bërë të ditur se fondacioni i Shoqërisë së Hapur do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në Ukrainë, Moldavi dhe Ballkanin Perëndimor, derisa këto vende janë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim fondacionet tona në Moldavi dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ato vende punojnë drejt pranimit në BE, gjë që — në rastin e Ballkanit — babai im e mbrojti për herë të parë në vitet 1990”.
Presidenti i Fondacionit së “Shoqërisë së Hapur”, potencoi se Evropa mbetet e një rëndësie të madhe strategjike për punën e OSF-së, por se për shkak të ndryshimeve aktuale në Evropë po ndryshojnë edhe prioritetet e saj dhe se fokusi i financimit po kthehet në Lindje, por kjo nuk do të thotë tërheqje.
“Njoftimet e mediave se OSF dhe Soros po “largohen nga Evropa” janë mashtruese. Ne nuk po largohemi”, tha Soros, duke shtuar se BE-ja, pavarësisht të metave të saj, mbetet një “fener global vlerash” që formësojnë punën e saj.