Shkencëtarët kanë rritur veshkat që përmbajnë kryesisht qeliza njerëzore brenda embrioneve të derrit, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së veshkave dhe organeve të tjera njerëzore që mund të përdoren për transplante te njerëzit.
Teknika e studimit që është publikuar së fundmi në një revistë amerikane, përfshin ndryshimin e përbërjes gjenetike të embrioneve të derrit dhe më pas injektimin e qelizave njerëzore që do të vazhdojnë të krijojnë veshkën brenda kafshëve.
Studiuesit thanë se është hera e parë që shkencëtarët kanë qenë në gjendje të rritin një organ të ngurtë të humanizuar brenda një specieje tjetër.
“Ne e modifikuam derrin gjenetikisht për të krijuar një hapësirë, ku qelizat njerëzore do të rriten me më pak konkurrencë me qelizat e derrit, dhe gjithashtu modifikuam qelizat njerëzore për t’i bërë ato të mbijetojnë në një mjedis që nuk ishte i natyrës së tyre”, tha një nga hetuesit.
Qëllimi i eksperimentit është përdorimi i kësaj teknologjie, për të krijuar organe nga qelizat e një pacienti individual, derrat që në thelb shërbejnë si inkubatorë, duke rezultuar në një rrezik shumë të reduktuar të refuzimit.
“Në fund të fundit, ne do të donim të prodhonim organe njerëzore që mund të përdoren për transplantim ose modelim të sëmundjeve, por kjo do të marrë kohë dhe ne ka të ngjarë të përballemi me pengesa teknike shtesë ndërsa ecim përpara”, pohoi studiuesi teksa shtoi se “megjithatë, ne mendojmë se është e mundur”.
Ekipi po punon gjithashtu për të gjeneruar organe të tjera njerëzore në embrionet e derrit, duke përfshirë zemrën dhe pankreasin.