Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ne Prishtine, miratoi listën fillestare të votuesve të cilët do të kenë të drejtë të votojnë më 7 qershor. Sipas KQZ-së, pas përpunimit dhe verifikimit të të dhënave, lista preliminare përmban mbi 2 milionë e 92 mijë votues, rreth 16 mijë më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Pas zgjedhjeve të kaluara janë larguar gjithsej 6,219 votues, prej të cilëve 5,826 janë larguar si të vdekur, 393 për shkak të humbjes së shtetësisë. Ndërsa numri i votuesve që votojnë për herë të parë është 22,131. Prej tyre, 16,933 janë votues të rinj, pra që kanë mbushur moshën 18 vjeç prej 29 dhjetorit e deri më tani.”
Bazuar në këtë listë votuesish, KQZ kufizoi edhe shpenzimet e partive për fushatë zgjedhore. U vendos që subjektet politike mund të shpenzojnë 1 euro për çdo votues të regjistruar.
“Kufizimi i shpenzimeve është kalkuluar jo më pak se 1 euro për votues dhe, në lidhje me bazën ligjore, zyra i rekomandon KQZ-së që ta aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve në vlerën prej 2,092,202 euro.”
KQZ mori vendim edhe për miratimin e listës së qendrave të votimit, ku në 38 komuna do të ketë 949 qendra votimi. Prej tyre, 911 janë për votim të rregullt, ndërsa 38, nga një në çdo komunë, për votim me kusht.
Po ashtu, janë miratuar edhe 38 qendrat komunale të numërimit, ku pas zgjedhjeve do të numërohen votat për deputetë dhe do të verifikohen rezultatet e partive.
Gjithashtu u përcaktua numri i qendrave të votimit që do të hapen më 6 qershor për votimin fizik për një numër të kufizuar të diasporës në përfaqësitë diplomatike. Numri më i madh i qendrave është në Gjermani, me 6 të tilla, pasuar nga Zvicra me 3 qendra votimi. Nga 2 qendra janë paraparë edhe në Shtetet e Bashkuara, Itali, Turqi, Francë dhe Kanada. Në shumicën e shteteve të tjera është paraparë nga një qendër votimi.
“Numri i qendrave të votimit jashtë Kosovës do të jetë 48. Numri i vendvotimeve do të jetë gjithsej 70, kurse numri maksimal i votuesve të cilët mund të regjistrohen është 64,450 për të gjitha këto qendra votimi.”
KQZ gjithashtu vendosi të shtypen rreth 1 milion e 840 mijë fletëvotime dhe miratoi disa kërkesa të tjera teknike për organizimin e zgjedhjeve.

