Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka thirrur mbledhjen e përbashkët të 43 deputetëve të opozitës, e cila do të zhvillohet në datë 13 shtator në orën 13:00 në sallën e mbledhjeve të Grupeve Parlamentare në Kryesinë e Kuvendit.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi dhe mbledhja vjen disa ditë pas mbledhjes së përbashkët të Grupeve të drejtuara nga Bardhi dhe Berisha, ku u vendos që këto takime do të ishin rutinë.
Mësohet se këto mbledhje do të bëhën thuajse të përhjavshme, për të koordinuar aksionin opozitar në Kuvend dhe për të kundërshtuar vendimet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama që ata i konsiderojnë të padrejta.
“Sipas vendimmarrjes së përbashkët në mbledhjen paraardhëse, mbledhja e ardhshme e deputetëve të opozitës parlamentare do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 13 Shtator 2023, ora 13:00, në sallën e mbledhjeve të grupeve parlamentare, në Kryesinë e Kuvendit, Kati IV. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.