Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis pritet të zhvillojë një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në New York. Në lidhje me çështjet që mund të diskutohen midis dy liderëve, pala greke ka bërë të qartë së një prej çështjeve që ndan dy vendet, ajo e Qipros nuk do të preket.
Sipas Giorgos Gerapetritis, Greqia mbështet zgjidhjen e një shteti të vetëm, dhe këto plane nuk diskutohen midis dy shteteve të tjera.
“Dua të jem plotësisht i sinqertë në lidhje me Qipron, e cila është prioriteti ynë kryesor në aspektin e politikës së jashtme dhe diplomacisë. Ne jemi plotësisht të lidhur me qeverinë qipriote në promovimin e idesë së një Qiproje të bashkuar bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E mbështesim hapur zgjidhjen e një shteti të vetëm të bazuar në një federatë bi-komunale. Por, planet për një zgjidhje me dy shtete nuk diskutohen”, tha ai.
Pjesë e agjendës së bisedimeve mes dy udhëheqësve do të jenë edhe ujërat e Egjeut, një çështje që ka mbizotëruar muajt e fundit në marrëdhëniet greko-turke
Ndërkohë, në një intervistë për CNN, kryeministri grek vuri në dukje se ky do të jetë takimi i dytë që nga momenti i rikonfirmimit në pushtet të dy liderëve.
“Ne kemi mosmarrëveshje të gjata, por do të përpiqemi t’i zgjidhim sipas ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht ligjit ndërkombëtar të detit, e vetmja rrugë në dispozicion.”
Siç tha kryeministri, ai pret që të dy vendet të bashkëpunojnë për çështjet e ndryshimeve klimatike, një sfidë e përbashkët me të cilën përballen si Greqia ashtu edhe Turqia. Ndër të tjera, Mitsotakis tha dallimet mes dy vendeve janë të mëdha.
“Kemi një dallim themelor me Turqinë, përcaktimin e zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor. Nuk është e lehtë për t’u zgjidhur, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të bashkëpunojmë në fusha të tjera ose të kemi një shkallë të agresionit turk që i shtyn të dy vendet në prag të një konflikti të armatosur”, tha ai.
Kryeministri grek theksoi se edhe nëse nuk pajtohet për çështje specifike me Erdogan, mund të lënë një derë të hapur.
“Edhe nëse biem dakord që nuk pajtohemi për çështje specifike që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial, mund ta lëmë derën hapur dhe këtë do të kërkoj në takimin tim me Erdoganin”, tha Mitsotaksi për CNN.