Raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe një herë janë në pikën e tyre kritike, që kulmoi me sulmin në veri të Kosovës.
Vrasja e rreshterit të policisë së Kosovës dhe shkëmbimi i zjarrit që pasoi më pas në Manastir, fundjavën e kaluar, por rrënjët e tensioneve shkojnë deri në vitet 1990 dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar, duke paralajmëruar për një grumbullim “të paprecedentë” të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë pranë kufirit të Kosovës dhe duke bërë thirrje për një “de-përshkallzim të menjëhershëm”.
Një histori tensionesh etnike
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-1999, në të cilën shqiptarët e Kosovës u përpoqën të shkëputeshin nga ajo që atëherë ishte Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi i sotëm.
Lufta shënoi kulmin pas dekada të tensioneve etnike midis komuniteteve shqiptare dhe serbe.
Gjatë luftës, NATO ndërhyri për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës. Më shumë se 20 vjet më vonë, paqja e brishtë është ruajtur në Kosovë, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Minoriteti serb i Kosovës e sheh veten si pjesë të Serbisë dhe Beogradin si kryeqytetin e tyre, në vend të Prishtinës.
Shumica e serbëve të Kosovës – më pak se një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme – jetojnë në rajonet veriore dhe kanë kërkuar gjithnjë e më shumë autonomi më të madhe nga popullsia etnike shqiptare.
Mosmarrëveshjet mbi shkallën e autonomisë për minoritetin serb vazhdojnë, me grupin etnik që ndonjëherë përgjigjet me rezistencë të dhunshme ndaj lëvizjeve të Prishtinës që ata i shohin si anti-serbe.
Çfarë e ka shkaktuar shpërthimin e fundit?
Përplasja mes policisë dhe rreth 30 serbëve të armatosur rëndë të dielën e kaluar u shkaktua nga një pritë që la të vdekur një rreshter të Policisë të Kosovës dhe një tjetër të plagosur.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit të mëpasshëm në fshatin Banjskë në Kosovën e veriut, policia bëri të ditur se vrau 3 agresorë të armatosur dhe arrestoi një tjetër.
Disa nga të shtënat ndodhën pranë një manastiri ortodoks serb, thotë policia. Autoritetet bënë të ditur se gjetën “pajisje logjistike, automjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake, armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm” në një vend banimi që përdorej nga sulmuesit. Ashtu si fshatrat e tjera në veri, Banjska është kryesisht serbe.
Në një postim në Facebook të dielën në mëngjes, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i përshkroi të shtënat në Banjska si një “sulm terrorist” të kryer nga ato që ai tha se ishin “banda kriminale serbe”.
Shpërthimi i dhunës të së dielës vjen pas trazirave të majit, të cilat panë dhjetëra paqeruajtës të NATO-s mbetën të plagosur pasi u sulmuan nga serbët në Kosovën e veriut. Dhuna shpërtheu pasi demonstruesit serbë u përpoqën të bllokonin kryebashkiakët e sapozgjedhur etnikisht shqiptarë nga marrja e detyrës në qytetin verior të Zveçanit, pas zgjedhjeve të diskutueshme në prill.
Çfarë thonë të dyja palët?
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani drejtoi gishtin nga Beogradi për nxitjen e dhunës së së dielës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i mohon akuzat, duke argumentuar se Serbia nuk do të përfitonte nga diçka që do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e normalizimit të sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën, raportoi Reuters.
Vuçiç dënoi gjithashtu policinë e Kosovës për vrasjen e njërit prej personave të armatosur në kokë, pasi ai ishte dorëzuar “nga një distancë prej një metri”, duke e përshkruar atë si një “ekzekutim”, sipas Reuters. Ai u zotua të hetojë ngjarjet rreth dhunës, duke përfshirë origjinën e armëve të konfiskuara pas incidentit nga policia e Kosovës.
Politikani i lartë serb i Kosovës, Milan Radoiçiq tha se ai mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.
Në një letër dërguar Reuters nga avokati i tij, Radoiçiq, i cili kërkohet në Kosovë dhe jeton në Serbi tha se ai “përgatiste personalisht logjistikën për mbrojtjen e popullit serb” dhe nuk mori ndihmë nga autoritetet serbe.
Si po reagon pjesa tjetër e botës?
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se incidenti paraqet një kërcënim për sigurinë jo vetëm të personelit të Kosovës, por edhe të personelit ndërkombëtar, përfshirë trupat e NATO-s.
“Sipas autoriteteve të Kosovës, të paktën 30 persona ishin të përfshirë në këtë sulm që rezultoi me vdekjen e një rreshteri policie, një rreshter i Policisë së Kosovës”, u tha gazetarëve të premten koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, John Kirby.
“Ky nuk është lloji i një sulmi që kryhet rastësisht, ose ad hoc ose nga ndonjë grup i vogël. Sasia dhe llojet e armëve që u gjetën përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë jo vetëm të personelit të Kosovës, por edhe të personelit ndërkombëtar, përfshirë trupat e NATO-s.
Ai shtoi se SHBA-ja tani po monitoron një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues dhe në thelb ka ndodhur gjatë javës së kaluar apo më shumë. Dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e temperaturës”, tha ai, transmeton CNN.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se forca shtesë ishin autorizuar për Kosovën pas shkëmbimit të zjarrit vdekjeprurës dhe gjithashtu bëri thirrje për de-përshkallëzimin.