Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Sipas njoftimit të policisë, 37-vjeçari me iniciale R. S. kanosi dhe dhunoi babain e tij edhe pse ky i fundit ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. S., në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.
Gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit, forcat e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë imituese të armës së zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.