Ushtria izraelite ka identifikuar 229 persona të tjerë që besohet se mbahen peng në Rripin e Gazës nga grupi militant islamik Hamas, njofton ATSH.
Sipas zyrtarëve izraelitë, pengu më i ri është nëntë muajsh, më i madhi 85 vjeç.
Sipas ushtrisë “Katër pengje të liruar tashmë nga Hamasi nuk janë përfshirë në numër”.
Sipas ushtrisë izraelite, pengjet përfshijnë shtetas të 25 vendeve.
Militantët e Hamasit nisën sulme të koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor, duke sulmuar instalimet kufitare dhe gjithashtu duke kryer masakra të tmerrshme të civilëve.
Më shumë se 1 400 persona u vranë gjatë sulmeve.
Pothuajse tre javë pas masakrës, janë ende rreth 100 persona të zhdukur, fati i të cilëve mbetet i paqartë, sipas një zëdhënëse të qeverisë izraelite.
Nga të vrarët, gjendja e keqe e shumë prej trupave e ka vështirësuar identifikimin e tyre.
Sipas ushtrisë, 310 nga të vdekurit ishin ushtarë izraelitë. / ATSH