Presidenti rus Vladimir Putin në një fjalim para studentëve të një shkolle ushtarake në Shën Petersburg tha se synimi i Rusisë është që t’i japë fund luftës së nisur nga Ukraina në Donbas, në vitin 2014.
“Në lidhje me vendimin për fillimin e operacionit ushtarak në Ukrainë, nuk kishte asnjë konsideratë tjetër përveç mbrojtjes së interesave të Rusisë. Asnjë tjetër! Rusia u përpoq në çdo mënyrë të mundshme për të ndërtuar marrëdhënie me Ukrainën. Ne u përpoqëm të ndërtonim marrëdhënie vetëm me mjete paqësore, por megjithatë, armiku ynë gjeopolitik bëri një grusht shteti në vitin 2014 dhe filloi të eliminonte të gjithë ata që ishin të angazhuar për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. U bë e qartë se ndërtimi i marrëdhënieve normale me vendin tonë nuk mund të vazhdonte”, tha Putin.
Më tej ai tha se “pushtimi i Ukrainës nuk është fillimi i një lufte, pasi vetë Kievi filloi luftën në Donbas në 2014. Kjo është një përpjekje për të ndalur këtë luftë. Kam besim se do t’i arrijmë objektivat që kemi vendosur”.