Kryetari i partisë së Lirisë Ilir Meta ka uruar ditën e pavarësisë së Kosovës. Meta shton se 17 shkurti është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri.
Meta nënvizoi se është lumtur që ka qenë pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit.
POSTIMI I PLOTE:
GËZUAR DITËN E PAVARËSISË KOSOVË E DASHUR! 🇦🇱❤️🇽🇰
Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë.
17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri.
Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.
I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit.
Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj.
Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kukësianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën.
I lumtur t’i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.
I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010.
Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale!