Christian Horner, drejtori i ekipit të Red Bull kthehet në skuderi pasi u lirua nga akuzat për sjellje të papërshtatshme ndaj një punonjëseje. Pasi çështja u mbyll dhe hetimet e brendshme lidhur me të çuan në lirimin e tij nga akuzat, menaxheri i ekipit tha se ishte i kënaqur me rezultatin.
“Ne jemi këtu për të garuar, jam i lumtur që jam kthyer në rrugën e duhur. Le të përqëndrohemi në sezonin që vjen dhe të përpiqemi të mbrojmë të dy titujt tanë”, tha Horner.
“Jam thjesht i lumtur që gjyqi ka përfunduar. Natyrisht që nuk mund të komentoj, por ne jemi këtu për t’u fokusuar tani në garë”, tha ai për Sky në fund të seancës së parë të stërvitjes së lirë në GP e Bahreinit.
Drejtori i ekipit më pas shtoi se, pavarësisht asaj që ka ndodhur javët e fundit, në Red Bull “ne nuk kemi qenë kurrë më të fortë dhe kurrë kaq të bashkuar”. Një përpjekje e 50-vjeçarit britanik për të mbyllur çdo diskutim për përçarjen e brendshme të ekipit, mes fraksionit austriak dhe anglez.