Pas dekadash përpjekjeje që të hidhej në treg një armë zjarri “smart”, kompania Biofire në Kolorado është gati që në fund të muajit të shpërndajë dërgesën e saj të parë me pistoleta 9 mm të pajisur me shenjë gishti dhe identifikimin e fytyrës.
Arma është dizenjuar për një qëllim shumë specifik: të jetë lehtësisht e aksesueshme në rast se dikush hyn në shtëpi, por të jetë e papërdorshme nga ata që nuk kanë autorizim, veçanërisht fëmijët.
Kai Kloepfer, CEO dhe themelues i kompanisë thotë se arma, e cila kushton 1499 dollarë është e sigurt dhe e testuar në mënyrë rigoroze. Dy herë më e shtrenjtë se sa një armë e zakonshme, ajo nuk ka vetëm sensorët biomekanikë.
Kur një përdorues i autorizuar tërheq këmbëzën, dërgon një sinjal elektrik që nxjerr plumbin dhe nuk ka nevojë për një veprim fizik duke e bërë kështu të parën pistoletë që shkrepet në këtë mënyrë.
Arma është dizenjuar që të lejojë deri në pesë persona të autorizuar për ta shkrepur kur ata e marrin në dorë dhe për ta çaktivizuar. Kjo është një masë për të parandaluar të shtëna të paqëllimshme nga fëmijët si dhe vrasjet, grabitjet dhe përdorimin kriminal të armëve nga adoleshentët.
Teknologjia biometrike nuk funksionon nëse duart dhe fytyra e përdoruesit janë tërësisht të mbuluara, por Biofire thotë se nuk është problem pasi kjo armë është vetëm për t’u mbajtur në shtëpi. Kloepfer shton se sensorët e saj janë shumë më të sigurt sesa të një ‘smartphone’, zakonisht njerëzit e mbajnë pistoletën në një pozicion të tillë që e bën të lehtë për ta aktivizuar përmes shenjës së gishtit dhe identifikimit të fytyrës. Arma është testuar vazhdimisht në temperatura të ndryshme, në rastet kur duart janë të djersitura dhe bateria mund të rezistojë për muaj të tërë vetëm me një karikim. Aksesimi i saj në mënyrë jo fizike për ta çaktivizuar është i pamundur.