Rusia ka diskutuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për bombardimin e Jugosllavisë nga NATO në vitin 1999, ndonëse kërkesa e tyre për seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me këtë çështje nuk ishte aprovuar. Ambasadori i Rusisë Vasily Nebenzia tha se NATO “ka kryer agresion të paligjshëm kundër një vendi sovran nën pretekst të rremë”. Duke i quajtur luftëtarët e UÇK-së banda kriminale, ai tha se ngjarjet e asaj kohe dhe shkatërrimi i një shteti sovran sipas tij, ka çuar në situatën aktuale në Kosovë, ku gjërat janë përkeqësuar.
“Disa kolegë në Këshillin e Sigurimit do të thonë se ngjarjet e 25 viteve më parë janë histori dhe nuk kanë të bëjnë me aktualitetin. Por çdo njeri i arsyeshëm e kupton se shkatërrim i një shteti të pavarur çdo i në një kaos që po shtohet jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin”, u shpreh Nebenzia.
“Më 24 mars 1999, një koalicion i vendeve të “aleancës mbrojtëse” të udhëhequr nga SHBA-ja pushtoi Republikën Federale të Jugosllavisë me pretekstin e ndalimit të spastrimit etnik që pretendohet se po ndodh në Kosovë. Në realitet, ushtria dhe policia jugosllave po bënin një betejë rraskapitëse kundër bandave terroriste shqiptare të Kosovës. Ushtria famëkeqe Çlirimtare e Kosovës (UÇK), liderët e së cilës tani po gjykohen në Hagë, masakroi pamëshirshëm popullatën serbe dhe të pabesë shqiptare. Mirëpo, propaganda perëndimore i ktheu banditët e UÇK-së në rebelë liridashës dhe luftëtarë të së mirës, dhe autoritetet legjitime të Jugosllavisë, që mbronin rendin kushtetues, në kriminelë lufte. U organizuan provokime cinike për të demonizuar serbët”, shtoi ai.
Përgjigje për këto qëndrime të Rusisë ka pasur përfaqësuesi i SHBA-së, zv.ambasadori Robert Wood, i cili ka thënë se veprimet e NATO-s në vitin 1999 kanë qenë të nevojshme dhe legjitime për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë dhe se SHBA s’ka asgjë për të fshehur në përkrahjen e bombardimit të Jugosllavisë më 1999.