Italia është mundur me rezultatin e pastër 2-0 nga Zvicra dhe i jep kështu lamtumirën Evropianit.
Një gol i Freuler në pjesën e parë dhe një tjetër i Vargas sapo nisi pjesa e dytë vulosën një ndeshje pa histori, të dominuar nga Xhaka me shokë nga minuta e parë deri te e fundit.
Një paraqitje zhgënjyese e kampionëve në fuqi të Evropës, të cilët për asnjë moment nuk dhanë përshtypjen se mund të përmbysnin rezultatin e këtij takimi.
Tashmë, në çerekfinale, Zvicra pret fituesin e çiftit Angli-Sllovaki.
Italia e mbylli rrugëtimin e saj në “EURO 2024” në fazën e 1/8, pasi u mposhtën 2-0 nga Zvicra, në një ndeshje shumë të dobët nga ana e axurrëve.
Pas ndeshjes, trajneri i Italisë Luciano Spalletti theksoi se ai pati shumë pak kohë në dispozicion për të përgatitur skuadrën për këtë kompeticion, ndërsa shtoi se në këtë moment ekipi nuk mund të bënte asgjë më shumë.
“Nuk kam pasur shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur Europianin. Ishim nën ritëm dhe pastaj bëhet e vështirë. Goli i dytë na “preu gjunjët”. Për fat të keq ritmi dhe freskia bëjnë gjithmonë diferencën, nuk ishim në kushtet për të bërë diçka më shumë”, u shpreh Spalletti.
Më tej, shtoi: “Përgjegjësia është gjithmonë e trajnerit, zgjedhjet i kam bërë unë. Do të flas me Presidentin e Federatës sepse me mua është sjellë shumë mirë. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.