Pasi shkëlqeu tek aventura e tij, me spanjollët e Getafe, “ylli” i Manchester United, Mason Greenwood është në qendër të merkatos së verës, ku pas Atletico Madrid, Barcelona, Juventus, Napoli e Olympique Marseille, tashmë një tjetër klub kërkon shërbimet e tij.
Bëhet fjalë për “Bardhekaltërit” e Lazio, me kryeqytetasit italianë, që kanë ofruar plot 25 milionë euro, për kartonin e tij, mirëpo “Djajtë” e United nuk heqin dorë nga kërkesa prej 30 milionë eurosh, për talentin e sulmit.
Në të tilla rrethana, bordi i Lazio ka vendosur të heqë përkohësisht dorë nga trativat për “yllin” e United, teksa janë fokusuar te një tjetër talent anglez e më konkretisht te vëllai i vogël i Jude Bellingham, i cili është pjesë e skaudrës së Sunderland.
Jobe Bellingham aktivizohet kryesisht në rolin e mesfushorit të avancuar, por mund të luajë edhe si mesfushor dhe qendërsulmues, me 18-vjeçarin, që vlerësohet me një çmim rreth 15 milionë euro dhe nëse gjithçka arrihet me sukses kalimi te Lazio do të ishte eksperienca e parë e tij jashtë ishullit.