Në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Londër, presidentja Vjosa Osmani është takuar me Mbretin Charles III dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Në 25-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s dhe trupave britanike në Kosovë, rikonfirmuam se lidhja midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e fortë dhe e palëkundur”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Samiti i komunitetit politik evropian po mbahet në Londër me pjesëmarrjen e 47 vendeve evropian. Ky është takimi më i madh i liderëve evropianë në vitet e fundit.
Pjesëmarrësit e samitit do të diskutojnë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me qëllim forcimin e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për energjinë dhe migracionin në kontinentin evropian.
Mes pjesëmarrësve janë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri hungarez Viktor Orban, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, kryeministri belg Alexander De Croix , presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, shefi i diplomacisë evropiane në largim Josep Borrell, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe shumë të tjerë.
Për herë të parë në samit po merr pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.