Policë të maskuar kanë bastisur të mërkurën në mëngjes shtëpinë e Andrew Tate në Rumani, ndërkohë që influenceri kontrovers pret gjykimin për akuzat e trafikut të qenieve njerëzore, përdhunimit dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal që shfrytëzonte gra seksualisht.
Agjencia Kundër Krimit të Organizuar në Rumani njoftoi se kishte kryer kërkime në katër banesa në Bukuresht dhe në Ilfov, pjesë të hetimeve për akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore, të të miturve, marrëdhënieve seksuale me të mitur dhe pastrim parash.
Zëdhënësi i Tate, Mateea Petrescu, citohet nga Associated Press të ketë thënë se skuadra ligjore e amerikano-britanikut ishte e pranishme gjatë bastisjes, por nuk komentoi lidhur me akuzat ku përfshihen të mitur.
37-vjeçari Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan, 36 vjeç, u arrestuan në vitin 2022 pranë Bukureshtit bashkë me dy gra rumune. Akuzat ndaj tyre u ngritën zyrtarisht pas katër vitesh, por ata i mohojnë ato. Pasi qëndruan 3 muaj në burg, ata u kaluan në arrest shtëpie e më pas në detyrim paraqitje, pa të drejtë largimi nga Rumania.
Andrew Tate – i cili njihet për përhapjen e mesazheve kontroverse në rrjetet sociale sa i përket të drejtave të grave – ka gati 10 milionë ndjekës në platformën X. Llogaritë e tij në media të tjera sociale janë bllokuar dhe mbyllur disa herë, gjë që sipas tij bëhet për t’i mbyllur gojën.