Marrëdhëniet midis Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda dhe kryeministrit Donald Tusk janë tensionuar së fundmi, teksa kreu i shtetit e ka akuzuar liderin e qeverisë për bashkëpunim me FSB ruse.
Duda pretendon se Tusk ka vazhduar bashkëpunimin me shërbimet speciale ruse bazuar në një marrëveshje me Shërbimin Federal të Sigurisë që qeveria e mëparshme e Tusk nënshkroi në vitin 2012.
Akuzat lidhen me çështjen gjyqësore të shtetasit rus Pavle Rubstov. Gazeta “Žečpospolita” më herët kishte njoftuar se Rubtsov, duke u njohur me procedimin penal të zhvilluar kundër tij, ka pasur akses edhe në dokumente sekrete.
Prokuroria polake më pas shpjegoi se i akuzuari, në përputhje me ligjin, ka të drejtë të njihet me të gjitha dokumentet që janë pjesë e procedurës penale, pa asnjë përjashtim dhe nënvizoi se nuk i zbuluan asnjë sekret shtetëror individit rus.
Por Presidenti polak pretendon se “zotërinj nga Agjencia e Sigurisë së Brendshme” e dinin se po ia tregonin dokumentet një bashkëpunëtori të dyshuar të shërbimit special rus, i cili akuzohej në Poloni për spiunazh.
“Është e vështirë të komentosh për këtë. Rregullat ekzistuese bëjnë të mundur mbrojtjen e sigurisë dhe interesave të Polonisë dhe të bëjnë një përjashtim në situata të tilla dhe të mos lejojnë aksesin e të dyshuarit në dokumente, veçanërisht nëse ato janë sekrete. Situata është interesante sepse edhe atëherë nuk kishte dyshim se ky zotëri ishte agjent rus dhe dihej se do të ishte pjesë e shkëmbimit të organizuar nga SHBA-ja dhe Rusia”, tha Duda.
Duda kujtoi se në vitin 2012, gjatë qeverisë Tusk, u lidh marrëveshja e bashkëpunimit midis Shërbimit të Kundërzbulimit Ushtarak të Polonisë dhe FSB-së, raporton A2.
“A vazhdon bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve speciale të Polonisë dhe Rusisë? Sepse kështu duket”, ishte pyetja që ngriti Duda.