Historiani Pëllumb Xhufi e konsideron të papranueshme idenë e hedhur nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi në Tiranë. Ai njihet si mbështetës i kryeministrit Rama, por i ftuar në emisionin “Open” në News 24, Xhufi tha se është një ide anti-kushtetuese.
“Krijimi i një shteti brenda shtetit është anti-kushtetues. Krijon probleme me vendet që na rrethojnë, sikundër krijon probleme mes vetë komuniteteve. Unë jam vetë bektashi, dhe pyes çfarë është ky shteti i ri”, – tha Xhufi që shtoi se me këtë ide, qeveria ka hyrë me të dyja këmbët, si sparkatë në një çështje që nuk i takon.
Ndërsa historiani Neritan Ceka tha se fillimisht e kishte marrë si një shaka, por duket se kryeministri Rama po e trajton si një ide që ka marrë fund.
“Nga sa po thuhet duket se janë marrë vendime për një shtet real, por kush u pyet për këtë “shtet bektashian”? Unë jam bektashian, por nuk jam pyetur. Si bektashi kemi qenë tradicionalisht për një shtet, dhe ky ka qenë shteti shqiptar”, – tha Ceka që shtoi se për “shtetin e bektashinjve” duhet të vendosin besimtarët bektashinj dhe jo OKB.
“Është ide e papranueshme, një sfidë ndaj Kushtetutës, po shpallet një shtet që ëshë anti-kushtetues. Është një shtet që krijohet nga një shtet tjetër, nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një kukull në duart e shtetit që e krijon. Dhe Kryegjyshata nga një institucion me vlera do të kthehet në një kukull”, – tha Ceka.
Edhe historiani Ferit Duka e konsideroi të beftë idenë e hedhur mbi atë që quhet si “shteti i Bektashinjve”. Duka tha se përderisa po jepen disa detaje, kjo tregon se kemi të bëjmë me një projekt. Duka tha se Kryegjyshata duhet ndihmuar me të gjitha instrumentet që ka në dorë për ta bërë atë një institucion të denjë për bektashinjtë e Botës.
“Ajo që propozohet për krijimin e një shteti sovran, brenda trupit të vogël siç është Shqipëria, një shtet që ka vuajtur nga kirurgji të pamëshirshme, mendoj se kjo ide është një kirurgji që nuk duhet ti bëhet shtetit tonë”, – tha Duka. Ai tha se ky instrument nuk e bën Kryegjyshatën botërore një institucion që të rrezatojë paqen.