“Takimi i Vitit”. Kështu e cilësojnë mediat greke, takimin mes Fredi Belerit dhe Edi Ramës.
Më 29 tetor, në orën 10:00, Fredi Beleris do të takohet me Edi Ramën në Tiranë.
To Vima shkruan se “kryeministri shqiptar do të takojë në cilësinë e deputetit të Komisionit të Parlamentit Europian njeriun që e mbajti në burg për 481 ditë për ta larguar nga zyra e kryebashkiakut të Himarës”.
“Si është jeta”, vijon To Vima, “Edi Rama është i detyruar ta presë këtë herë me nder, siç i ka hije një të zgjedhuri të Parlamentit Europian, kur pak muaj më parë deklaroi se për qeverinë shqiptare çështja Beleri është… inekzistente”
Ky kusht i vendosur nga Bashkimi Europian (me propozim të qeverisë greke), që rruga e anëtarësimit të Shqipërisë të kalojë përmes të drejtave të minoritetit grek, e detyroi Edi Ramën të ndryshojë kurs”.
Fredi Beleri vjen në Tiranë si pjesë e delegacionit të BE për stabilizim asocimit për Shqipërinë. Burime pranë Belerit konfirmojnë se do ketë një takim me Ramën si pjesë e këtij delegacioni, ndërsa nga kryeministria nuk ka ende konfirmim.
Kur delegacioni, ku bënë pjesë edhe Beleri do të mbërrijë në Tiranë, do të priten nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato.
Menjëherë pas kësaj vijon takimi me Edi Ramën, i cili është parashikuar të zgjasë 45 minuta. Më pas do të ketë takime me përfaqësues të partive shqiptare si dhe me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.