Një restorant britanik ka rindezur armiqësitë kundër picës me ananas, e cila është në menunë e tij, por me një shtesë të tepruar çmimi prej 100 paund për “njerëzit monstra”, sipas tij, që duan një të picë të tillë.
Një picë në restorantin ”Lupa Pizza” në Norwich, Anglia lindore, zakonisht është 10 herë më e lirë, por një nga pronarët e restorantit, Francis Woolf, i tha gazetës lokale ”Norwich Evening News”, se ai “e urrente atë”.
Kjo picë me ananas gjendet në menunë e shpërndarjes me motor të picave ”Deliveroo”, por me këtë mbishkrim “Po, për 100 paund mund ta kesh. Porosit edhe shampanjën. Vazhdo, përbindësh!”.
Pica napolitane u përfshi në trashëgiminë jomateriale të njerëzimit të UNESCO-s në vitin 2017, një mbishkrim simbolik, por që shpërbleu përpjekjet e mbrojtësve të kësaj pjate italiane, për të cilët shtimi i ananasit përbën herezi.
Gino Sorbillo, një nga kuzhinierët më të famshëm të picave në Napoli, ka futur në menunë e restoranteve të tij picën me ananas, një risi që nuk është pritur mirë nga pjesa më e madhe e ndjekësve që ai ka në rrjete sociale. Ishte vetë Gino ai që publikoi një video teksa nxirrte nga furra një picë me ananas në picerinë që ndodhet në qendrën historike të Napolit, për të promovuar kështu produktin e ri, por që në Itali konsiderohet pothuajse tabu.
Kuzhinieri shkruante në video se: “Djema mos u nevrikosni. Unë jam i lidhur me traditën, por kam dëshirë që ta fus në menu. Është e mirë, ejani dhe provojeni”,-shkruan Gino. Por as kjo thirrje nuk i ndali komentet negative të ndjekësve të tij të cilët të indinjuar shkruajnë se “Italia ka humbur një mit”, i cili po e bën këtë gjë për pëlqime në rrjetet sociale. Ata e cilësuan gjithashtu picën me ananas si një sakrilegj.