Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, u takua me kryeministrin Edi Rama këtë të martë. Ata zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kallas u shpreh se Shqipëria është një partner i fortë i BE-së dhe vendimi për të zbatuar sanksionet kundër Rusisë tregojnë përkushtimin e Tiranës zyrtare sipas saj, ndaj vlerave të BE-së.
“Jeni të vlefshëm dhe të dobishëm edhe sa i përket bashkëpunimit në rajon”, tha ndër të tjera Kallas.
Ajo u shpreh më pas se BE-ja është e angazhuar sa i përket Shqipërisë pasi bashkëpunimi sjell të mira për të dyja palët.
“Ne jemi të angazhuar për të fuqizuar marrëdhënien më tej dhe për ju jemi partneri më i fortë tregtar”, tha Kalla.
Kallas përmendi edhe ambicien e Shqipërisë për të përfunduar negociatat në vitin 2027. Ajo theksoi se nuk ka rrugë të shkurtër sa i përket anëtarësimit dhe e vetmja mënyrë është performanca e duhur në reforma. Shefja e politikës së jashtme theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
“Dëshiroj të them që nuk ka ndonjë qark të shkurtër për të arritur me anëtarësimin në BE përveç performancës së duhur në reforma. Keni mbështetjen tonë sa i përket çeljes së grup-kapitujve të tjera. E ardhmja e Shqipërisë është në BE”, tha Kallas.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së theksoi se sot do të lançohet dialogu i parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen, por shtoi se Brukseli dëshiron që të zgjerojë bashkëpunimin edhe në fusha të reja për të luftuar kërcënimet hibride apo ato kibernetike.
Kallas bëri me dije se me Ramën ka diskutuar edhe zhvillimet në rajon. Sipas saj mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre.
“Vlerësoj këshillat që më keni dhënë për situatën në Ballkanin Perëndimor. Mendoj që ajo është e rëndësishme është që në lidhje me Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve”, tha Kallas.