Milani ka nisur të mendojë më konkretisht për të ardhmen. Sipas asaj që raporton La Gazzetta dello Sport, ardhja apo jo e Igli Tares do të ndryshonte ndjeshëm planet e klubit.
Nëse drejtori shqiptar do t’i bashkohej kuqezinjve dhe në rast të një largimi të mundshëm të Theo Hernandez, një nga emrat që mund të merret në konsideratë për krahun e majtë është ai i Destiny Udogie nga Tottenham Hotspur.
Vëmendje gjithashtu edhe për Dan Ndoye, autori i suksesit të madh të Bolognës në Kupën e Italisë, si dhe Jens Odgaard, i cili ka treguar rritje të ndjeshme që nga janari 2024 deri më tani me fanellën kuqeblu.

Në repartin mbrojtës, Fikayo Tomori dhe Malick Thiaw pritet të largohen, ndaj drejtuesit do të duhet të gjejnë zëvendësuesit e duhur.
Preferenca e parë për Taren është Mario Gila nga Lazio, por në listën e tij ndodhen edhe Luiz Felipe, i cili ka pasur pak hapësira te Marseille pas aventurës në Al-Ittihad – si dhe emra të rinj si Pietro Comuzzo (që sapo ka rinovuar me Fiorentinën), Giovanni Leoni nga Parma dhe Diego Coppola i Hellas Veronës.
Për momentin, kthimi i Sergej Milinkovic-Savic në Itali mbetet vetëm një ëndërr, pasi ai paguhet 20 milionë euro në sezon nga Al Hilal. Por, në futboll asgjë nuk përjashtohet.
Në sulm, Milani ka kohë që ndjek Lorenzo Luccën, i cili pritet ta mbyllë sezonin me gola dyshifror. Gjithashtu është përmendur edhe Federico Chiesa, i cili po has vështirësi për të gjetur hapësira te Liverpooli, mes shumë yjesh, dhe dëshiron të rikthehet në qendër të vëmendjes në prag të Kampionatit Botëror – një garë që ish-sulmuesi i Juventusit dhe Fiorentinës dëshiron ta luajë me çdo kusht. /