Kryeministri britanik Keir Starmer ka vendosur të përshpejtojë vizitën shtetërore të presidentit amerikan, Donald Trump, në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkuar kundër dëshirës fillestare të Mbretit Charles për një qasje më të kujdesshme dhe joformale.
Sipas burimeve të The Times, mbreti kishte sugjeruar fillimisht një takim më të thjeshtë. Kjo për të shmangur tensionet, veçanërisht për shkak të deklaratave provokuese të Trump ndaj Kanadasë, vend ku Charles është gjithashtu kreu i shtetit.
Por Starmer ka zgjedhur të shkojë për një vizitë me të gjitha nderimet, në përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie më të ngushta me presidentin amerikan.
Letra që mbreti i kishte dërguar Trump-it për një takim joformal u bë publike nga Starmer në Shtëpinë e Bardhë, duke krijuar pritshmëri për një vizitë zyrtare të shpejtë. Kjo lëvizje është cilësuar si një “ngatërresë” nga burime pranë Pallatit Mbretëror.
Pavarësisht shqetësimeve të pallatit, vizita e Trump-it në Britani pritet të zhvillohet në shtator në Windsor.
Ndërkohë, gjatë një vizite në Kanada muajin e kaluar, Mbreti Charles theksoi sovranitetin dhe identitetin unik të vendit, në një mesazh të qartë ndaj komenteve të Trump që e ka konsideruar “shtetin e 51-të” të SHBA-ve.
Ftesa e Mbretit ishte shkruar për t’i dorëzuar privatisht, së bashku me një kusht që Trump të ndalonte së foluri për Kanadanë si “shteti i 51-të” i SHBA-së. Por siç shkruan The Times, Starmer ka refuzuar të thotë nëse i ka kërkuar privatisht Trump-it të zbusë retorikën ndaj Kanadase.