Investimi i NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës është një investim domethënës. Kështu deklaroi dje sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, i cili vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel në cilësinë e kryetarit të OSBE-së.
“Kemi vendosur ta bëjmë këtë investim dhe po nxisim që kjo të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një investim për përmirësimin e bazës ajrore, të pistës, karburantet gjithashtu. Kjo bazë ajrore mund të jetë qendër e veprimtarive shumë të rëndësishme, siç është policimi nga ajri, trajnimi që do të vijë nga kjo bazë e modernizuar në Shqipëri. Pra, është mirë jo vetëm për vendin, por për të gjithë aleatët e NATO-s”, – tha Stoltenberg.
Sekretari Stoltenberg u shpreh se “nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është anëtarësuar në 2009-ën, që ishte mirë për Shqipërinë dhe mirë për NATO-n. Shqipëria dhe NATO kanë punuar mjaft ngushtë së bashku. Kjo është e rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, por gjithashtu është e rëndësishme për NATO-n që të investojë në infrastrukturë”./ATSH/