Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi sot se do të bojkotojnë takimin me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, për Siguri të Jashtme dhe Politikë, Josep Borrell. Takimin e sotëm, ai e quajti të pakuptime.
“Takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja – dhe çfarëdo iniciative për rinisje të procesit të dialogut me palën serbe, është i tejkaluar dhe i paqëndrueshëm derisa Kosova vazhdon me qenë peng i inateve dhe paaftësisë për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje dy forcat politike, LVV dhe LDK”, tha Veseli.
Takimi i sotëm, tha ai, si dhe ndërlidhja e dialogut me procesin e formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës është i dëmshëm dhe ndarës.
“Ky nuk i kontribuon vet procesit të dialogut duke krijuar një klimë të brendshme mosbesimi mes palëve dhe nuk i kontribuon për vetë epilogun e procesit”, tha tutje Veseli, transmeton Koha.net.
Veseli, ftoi Vetëvendosje, siç u shpreh ai, “si fituese si parti e parë dhe partnerin e saj paraelektoral të mos e dëmtojë nga brenda procesin e mirëbesimit politik dhe rendin kushtetues”.
“Dhe, të mos e cenojnë sovranitetin e vendit jashtë duke përfshirë në mënyrë të dëmshme partnerët ndërkombëtar. Këto parti duhet t’i marrin përgjegjësitë që kanë premtuar para qytetarëve dhe t’i përmbushin pritjet që projektuan këto dy parti. I ftoj qytetarët e Kosovës që ta ruajnë besimin në shtetin dhe institucionet e Kosovës”, përfundoi Veseli.