Prokuroria e Romës ka shtuar akuzën e “revenge porn” në hetimet për videot intime të vjedhura të prezantuesit italian Stefano De Martino dhe partneres së tij, Caroline Tronelli, duke hedhur dritë mbi një skenar më të errët se sa ishte menduar fillimisht.
Sipas Corriere della Sera, hetuesit nuk e shohin më incidentin si një “rastësi teknologjike”, por si një tradhti nga brenda. Dyshimet bien mbi dikë që njihte mirë kodet e videosurvejimit, ndoshta një teknik ose një i njohur i shtëpisë që ka përdorur besimin si armë.
Ngjarja ndodhi më 9 gusht, kur kamera e sigurisë së shtëpisë u hakerua dhe videoja intime e çiftit u grabit. Vetëm disa orë më vonë, pamjet qarkullonin në Telegram, ndërsa një ndjekës i njohur për tatuazhet e De Martinos paralajmëroi: “Stefano, në internet po qarkullojnë video intime të tua me partneren”. Ditën pasuese, çifti bëri kallëzim në polici në Porto Cervo, ku po pushonin.
Platformat sociale ku videoja u shpërnda u mbyllën njëra pas tjetrës pas ndërhyrjes së De Martinos, por pamjet ishin shkarkuar, kopjuar dhe rishpërndarë. Autoriteti i Privatësisë italian urdhëroi bllokimin dhe vendosi gjoba për ata që e posedojnë ose e shpërndajnë, por dëmi ishte i pakthyeshëm.
Në këtë sfond, prokuroria e Romës i ka besuar hetimet Policisë Postale, ndërsa akuzat për “revenge porn” shtojnë peshën ligjore dhe morale të çështjes.