Në debatin e përgjithshëm në Bundestag, kancelari Merz përgatiti gjermanët për ndryshime të thella muajt e ardhshëm. Ka të bëjë me të ardhmen e vendit tonë, tha Merz.
Në fjalimin e tij në Bundestag të mërkurën, (17.09.) Friedrich Merz e paraqiti veten si kancelar reformist, ai i përgatiti gjermanët për reforma të gjera në muajt e ardhshëm. “Vendi ynë ndodhet para vendimeve të rëndësishme këtë vjeshtë”, tha Merz gjatë debatit të përgjithshëm mbi buxhetin në Bundestag. Prandaj është e rëndësishme, të “marrim rrugën e duhur në këtë moment historik”. Nuk ka të bëjë “me asgjë më shumë dhe asgjë më pak se me të ardhmen e vendit tonë – si jetojmë, si jetojmë së bashku, si punojmë, si bëjmë biznes dhe nëse vlerat tona do të vazhdojnë të qëndrojnë”. “Vendimet që na presin nuk kanë të bëjnë me detaje, por me çështje shumë themelore”, tha kreu i CDU.
Në fjalën e tij, Merz theksoi se liria është nën kërcënim, qytetarët po ndiejnë një ndjenjë në rritje të pasigurisë. Po ashtu ai paralajmëroi se modeli ekonomik gjerman është nën presion nga “një proteksionizëm i ri i drejtuar kundër tregtisë së lirë dhe tregjeve të hapura”. Ai kërkoi edhe reforma të thella në sistemin e pensioneve. “Ne gjithashtu duhet të ristrukturojmë sistemin tonë të pensioneve.” Kancelari e justifikoi këtë me ndryshimet demografike, duke argumentuar se të rinjtë nuk duhet t’i nënshtrohen barrës shtesë në Gjermani.
“Ndarja në politikë të brendshme dhe të jashtme është e vjetëruar”
Merz në fjalën e tij iu referua edhe luftës në Ukrainë dhe tha se ajo duhet të përfundojë. Por duhet të presim, se ajo nuk do të përfundojë shpejt, theksoi kancelari gjerman, dhe nuk duhet të përfundojë në kurriz të sovranitetit politik dhe integritetit territorial të Ukrainës. Merz theksoi, se ndarja në politikë të brendshme dhe të jashtme sot është e vjetëruar dhe paralajmëroi për pasojat e mundshme të një paqeje në Ukrainë të diktuar nga Rusia. Kjo vetëm sa do ta inkurajonte Presidentin rus Vladimir Putin “të kërkonte objektivin e tij të radhës”, tha kreu i CDU-së. “Putini ka kohë që po teston kufijtë”, theksoi ai. “Ai saboton, spiunon, vret, përpiqet të krijojë pasiguri”. Kjo është parë kohët e fundit jo vetëm në Poloni; Rusia gjithashtu dëshiron të destabilizojë shoqërinë gjermane, paralajmëroi Merz.
Më parë kryetarja e grupit parlamentar të AfD, Alice Weidel e cila sipas traditës si partia më e madhe e opozitës mban fjalën e para, kishte sulmuar ashpër kancelarin, duke e akuzuar përsëri për shkelje të premtimeve të fushatës dhe “nxitje të luftës” në Ukrainë. Ndryshe nga debati i tij i parë i përgjithshëm si kancelar në korrik, Merz nuk i hyri debatit me Weidel këtë herë.
Kritika kancelari Merz pati edhe nga partia Të Gjelbrit. Drejtuesja e grupit parlamentar, Katharina Dröge, tha se politika e Merz është për mjaft biznese në Gjermani “zhgënjim i hidhur”. Çmimet e energjisë janë shumë të larta dhe taksa e energjisë elektrike duhet të ulet, kërkoi ajo. Merz po “zhgënjen miliona njerëz”, kritikoi Dröge. Kurse kryetarja e partisë E Majta, Heidi Reichnnek kërkoi nga koalicioni një “pagë minimale të paprekshme nga varfëria”, në vend të kursimeve tek paratë për qytetarin, “Bürgergeld”. Paratë duhet të shpërndahen “nga lart poshtë”, kërkoi politikanja e majtë.(DW)