Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sapo Kuvendi i Kosovës të konstituohet, do të zgjedhin qeverinë e re. Ai iu përgjigj në këtë mënyrë pyetjes për mundësinë e formimit të një qeverie të përkohshme, një ide kjo e propozuar nga partnerja e tij në koalicion, kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila.
“Ne jemi qeveria në detyrë, porsa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra është më shumë se sa është dashur. Herën e parë ishte më pak se ç’është dashur, e herën e tretë do të jetë tamam”, tha Kurti për KosovaPress.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të publikimit të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive, pasi më 30 shtator ky organ tha se Kuvendi, i nisur që më 15 prill, quhet ende i pakonstituuuar, pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda një afati 12-ditor, pasi ajo të publikojë vendimin e plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk plotësohet trupa e legjislativit.