Lirimi i pengjeve nga Hamasi pritet të ndodhë të hënën , pak para fillimit të konferencës së paqes në Sharm el-Sheikh, me pjesëmarrjen e rreth njëzet udhëheqësve.
Në këmbim, Izraeli pritet të lirojë 250 “të ndaluar sigurie”, përfshirë individë të dënuar për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve, si dhe 1,700 palestinezë të tjerë të kapur nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës pas shpërthimit të luftës.
Duke iu drejtuar turmës, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se pengjet “po kthehen në shtëpi” dhe lavdëroi presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes për armëpushim dhe kthimin e pengjeve nga Gaza.
Ndërkohë, zyrtarë palestinezë në Gaza njoftuan se rreth 500 mijë persona janë kthyer në veri të Gazës, zonë që aktualisht është e shkatërruar, pas tërheqjes së forcave izraelite gjatë dy ditëve të fundit.
Egjipti ka konfirmuar se të hënën do të organizojë një samit në Sharm El-Sheikh për të finalizuar marrëveshjen që synon t’i japë fund luftës. Sipas një zëdhënësi të presidencës egjiptiane, më shumë se 20 liderë botërorë, përfshirë Trumpin, pritet të marrin pjesë në këtë samit. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Trumpu pritet të vizitojë Izraelin të hënën, përpara se të udhëtojë drejt Egjiptit. Vajza e tij Ivanka Trump dhe dhëndri Jared Kushner iu drejtuan pjesëmarrësve në tubimin e së shtunës në Tel Aviv.
Sipas marrëveshjes së shpallur të enjten për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve, Hamas i janë dhënë 72 orë – deri të hënën në mesditë për të liruar të gjithë 48 pengjet që ende mban pas dy vitesh lufte, nga të cilët 20 dyshohet se janë ende gjallë.
Një zyrtar i lartë i Hamas, Osama Hamdan, i tha agjencisë AFP se “sipas marrëveshjes së nënshkruar, shkëmbimi i të burgosurve pritet të nisë të hënën në mëngjes, siç është rënë dakord, dhe nuk ka zhvillime të reja në këtë drejtim”.
Ai shtoi se militantët e Hamas në terren ende nuk e kanë njoftuar udhëheqjen e lëvizjes për logjistikën e dorëzimit të pengjeve.
Aviv Havron, një qytetar izraelit që humbi pjesëtarë të familjes së tij gjatë sulmit të Hamas më 7 tetor 2023, i tha BBC-së në Tel Aviv: “Është shumë e rëndësishme për komunitetin… që ata të kthehen. Pa këtë, nuk mund ta rifillojmë jetën.”