Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar prerë se Ukraina dhe aleatët e saj nuk po kërkojnë një zgjidhje për ndaljen e agresionit rus pa përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara.
“Para së gjithash, ne nuk planifikojmë dhe nuk jemi duke kërkuar një rrugë për të ndalur Putinin dhe për të përfunduar këtë luftë pa Shtetet e Bashkuara. Plani ynë është të ndërmarrim hapa të përbashkët vendimtarë”, ka deklaruar Zelensky në një konferencë për shtyp së bashku me liderët e vendeve të Koalicionit të Vullnetshëm dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte,
Këtë deklaratë Zelensky e bëri në prani të liderëve të koalicionit ndërkombëtar që mbështet Ukrainën, duke nënvizuar unitetin strategjik mes aleatëve.
Presidenti ukrainas vuri në dukje qëllimin e Kremlinit për të dobësuar frontin e bashkuar perëndimor:“Putini kërkon të na ndajë, të na bëjë më të dobët. Prandaj është e domosdoshme të ushtrojmë presion të përbashkët ndaj tij.”
Zelensky ripohoi se çdo zgjidhje pa SHBA-në do të ishte jo reale dhe e pamjaftueshme për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe Evropës.
Deklarata vjen në një moment kyç, ndërsa lufta hyn në vitin e katërt dhe presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë intensifikohet me sanksione të reja, ndihma ushtarake dhe koordinim të shtuar diplomatik.




