Zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja ka reaguar i revoltuar pas miratimit të ligjit për barazinë gjinore, duke e quajtur atë një akt që sfidon natyrën dhe rolet biologjike të mashkullit dhe femrës.
Në një postim në Facebook, Pashkja kritikon mënyrën se si ligji u kalua “shpejt e shpejt, në orët e vona të natës”, pa diskutim të gjerë, duke theksuar se përmbajtja e tij ndryshon konceptin e gjinisë nga tiparet natyrore tek rolet e ndërtuara shoqërore.
Zëdhënësi i Kishës paralajmëron edhe për mënyrën e reagimit publik se “Në raste festash fetare ju kam parë tek përpiqeni me shumë kujdes të gjeni foto kishash apo xhamish; po aq kujdes tregoni edhe në zgjedhjen e fjalëve për të uruar Bajramin apo Pashkët. Por ky ligj që miratuat është krejt e kundërta e asaj që predikohet në këto institucione.”
Reagimi i plotë:
Na i kurseni urimet e Pashkëve dhe të Bajramit.
Ligji i shumëpërfolur për barazinë gjinore u miratua. Ashtu shpejt e shpejt, në orët e vona të natës, pa diskutim dhe me një shpejtësi rrufe. Shtatëdhjetë e shtatë burra dhe gra votuan një ligj sipas të cilit gjinia nuk përcaktohet më nga tërësia e tipareve natyrore që dallojnë mashkullin nga femra, por nga rolet e ndërtuara në kontekstin shoqëror. Ne që e refuzojmë, na thonë se nuk e kemi lexuar ose nuk e kuptojmë.
Është shumë e çuditshme sesi, pas çdo drafti që ndryshonte dy a tri herë, për të mos ndryshuar në thelb fare, individë dhe aktivistë të komunitetit LGBTQ+ përpiqeshin të na bindnin se nuk është ashtu siç duket. Megjithatë, ligji kaloi.
Të gjithë deputetët që e miratuan nuk duhet të harrojnë se, përpara se të jenë politikanë, janë ose do të jenë prindër. Në rastin më të thjeshtë, edhe ata vetë vijnë nga prindër mashkull e femër, nga nënë dhe baba. Hapësirat që ky ligj lë për deformime të mëvonshme, në këtë kontekst, janë mëse të qarta. Mos harroni se liria e ndërgjegjes është gjëja më e shenjtë për njeriun dhe ajo i jep atij dinjitetin.
Në raste festash fetare ju kam parë tek përpiqeni me shumë kujdes të gjeni foto kishash apo xhamish; po aq kujdes tregoni edhe në zgjedhjen e fjalëve për të uruar Bajramin apo Pashkët. Por ky ligj që miratuat është krejt e kundërta e asaj që predikohet në këto institucione dhe që përcillet përmes këtyre festave.
Nëse arrini të gjeni fjalët e duhura për t’u justifikuar, mos harroni: Zoti e di të vërtetën. Atë nuk mund ta gënjejmë. Ai e di se ka vetëm një të vërtetë.
Nuk dua dhe nuk kam për qëllim të mas fenë, besimin apo mosbesimin e askujt, por ju lutem, të paktën për Bajram e për Pashkë, na i kurseni urimet. Heshtja vlen më shumë se hipokrizia.




