Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mesditën e kësaj të marte, më 11 nëntor, kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, i cili ka shkaktuar deri më tani të paktën 12 viktima dhe mbi 20 të plagosur.
Siç shkruan Al Jazeera, sulmi ndodhi pranë hyrjes së Kompleksit Gjyqësor të Qarkut, një zonë e frekuentuar çdo ditë nga qytetarë dhe avokatë.
Ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi konfirmoi se bëhet fjalë për një sulm vetëvrasës. Sipas tij, sulmuesi kishte synuar të hynte në ambientet e gjykatës, por pasi nuk ia doli, hodhi veten në erë pranë një automjeti policie. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Presidenti Asif Ali Zardari e dënoi ashpër sulmin, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke lavdëruar forcat e rendit për reagimin e tyre. Në një postim në llogarinë zyrtare në X, ai u lut për shërimin e shpejtë të të plagosurve dhe theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar përballë këtyre sfidave.
Ministri i Mbrojtjes Khaëaja Asif e cilësoi situatën si “gjendje lufte”, duke shtuar se ky sulm duhet të shërbejë si një “thirrje zgjimi”. Ai akuzoi qeverinë e Kabulit për lejimin e aktiviteteve terroriste që po përhapen deri në zemër të Pakistanit.
“Në këtë situatë, do të ishte e kotë të shpresojmë për negociata të suksesshme me sundimtarët e Kabulit. Sundimtarët e Kabulit mund ta ndalin terrorizmin në Pakistan, por sjellja e kësaj lufte deri në Islamabad është një mesazh nga Kabuli, por falë Zotit, Pakistani ka forcën e plotë për t’iu përgjigjur.”, shtoi ai.
Ky sulm vjen vetëm disa orë pas një tjetër përpjekjeje të dhunshme në qytetin Wana, pranë kufirit me Afganistanin, ku militantë të armatosur tentuan të sulmonin një kolegj ushtarak dhe të merrnin peng kadetët. Sipas shefit lokal të policisë, Alamgir Mahsud, dy sulmues u vranë nga forcat ushtarake, ndërsa tre të tjerë arritën të futeshin në ndërtesë përpara se të rrethoheshin. Operacioni i pastrimit nga komandot e ushtrisë vazhdonte edhe të martën, ndërkohë që dhjetëra shtëpi përreth u dëmtuan rëndë nga shpërthimi.
Islamabad ka qenë relativisht i qetë vitet e fundit, por ky sulm rikthen frikën për një valë të re dhune, veçanërisht në një kohë kur tensionet me Afganistanin janë në rritje. Vetëm disa javë më parë, pati shkëmbime të rënda zjarri në kufi, dhe autoritetet pakistaneze paralajmërojnë se bisedimet për paqe me Kabulin janë gjithnjë e më të pamundura.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar presionin ndaj qeverisë pakistaneze për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur përsëritjen e skenarëve të dhunës masive që tronditën vendin në vitet 2019 dhe 2020.




