Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot, më 17 nëntor 2025, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, në lidhje me aferën “Partizani”.
Berisha, pasi doli nga SPAK, lexoi mesazhin që i la kreut të SPAK, Altin Dumanit. Ai shprehet se Dumani ka amnistuar krimin elektoral dhe se kjo amnisti është atentat në themel i rendit demokratik dhe pluralizmit.
“Altin Troplinit, Pojës së Skapit, krimi i tij antikushtetues, amnistia e krimit elektoral, përbën atentat në themel të rendit demokratik dhe pluralizmit dhe është faktor madhor në instalimin e narkoshtetit apo shtetit të Troplinëve, Farrukëve, Hajrëve, shërbëtor i të cilëve është Altin Troplini.
Ky është shënimi që i lashë sot për të gjithë shqiptarët, por edhe për punonjësit e prokurorisë dhe BKH-së dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë”, tha Berisha në fjalën e tij përpara Prokurorisë së Posaçme.
Berisha është i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, dhe tre të tjerë. Dosja u çua për gjykim më 19 maj dhe akuzat ndaj Berishës lidhen me korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, me pretendimin se ai ka përdorur postin e kryeministrit për të miratuar ligje dhe vendime që i shërbenin interesave të Malltezit.
Nga ana tjetër, Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, pasi SPAK pretendon se ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi, të favorizuar nga vendimet qeveritare të asaj kohe.
Në dosje përfshihen edhe persona të tjerë: Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina akuzohen për pastrim parash përmes aktivitetit të kompanisë “Homeplan”. Tre shoqëri, Kontakt, Homeplan dhe Studio Pustina, gjithashtu po gjykohen për pastrim parash.




