Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës theksuan mbrëmjen e së dielës, në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë “duhet të respektojë plotësisht sovranitetin kombëtar të Ukrainës”. Deklarata erdhi pas një dite bisedimesh intensive në Gjenevë mes delegacioneve amerikane, ukrainase dhe evropiane.
Sipas presidencës amerikane, takimi në Zvicër, ku mori pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio — u vlerësua si “një hap i rëndësishëm përpara” drejt arritjes së një zgjidhjeje për konfliktin që ka shpërthyer që prej pushtimit rus të 24 shkurtit 2022. Rubio tha pas takimit se ndihej “shumë optimist” për një marrëveshje që mund të finalizohet “shumë shpejt”. Bisedimet u zhvilluan mbi bazën e një plani 28-pikësh, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, dhe i cili është rishikuar gjerësisht pas kundërshtimeve nga Kievi dhe disa kryeqytete evropiane. Deklarata thekson se SHBA-ja dhe Ukraina “kanë hartuar një version të ri, të përditësuar dhe të rafinuar” të kornizës së paqes.
Shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, foli për “përparim shumë të mirë”, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky nënvizoi se drafti i ri pasqyron “shumicën e prioriteteve kryesore të Ukrainës”. Ndërkohë, vendet kryesore evropiane — Britania, Gjermania dhe Franca — paraqitën një kundërpropozim të tyre, i cili synon të shmangë presionin mbi Kievin për lëshime territoriale. Drafti evropian sjell ndryshime të rëndësishme, si heqja e kërkesës për koncesione në Donbas dhe modifikimi i kufizimeve mbi ushtrinë ukrainase, ndërkohë që parashikon edhe një rol të mundshëm të Rusisë në G8 dhe një proces gradues heqjeje sanksionesh.
Megjithatë, vijat e kuqe të Ukrainës mbeten të pandryshuara: asnjë marrëveshje nuk mund të legjitimojë pushtimin e territoreve ukrainase dhe as të detyrojë Kievit të pranojë kufij të ngrirë. Zelensky kërkon garanci të forta sigurie, mekanizma të qartë për lirimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, si dhe mbajtjen e aseteve ruse të ngrira derisa të paguhet kompensimi për dëmet e luftës.




