Gjatë bisedimeve në Gjenevë lidhur me planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas të dhënave të ministrit të Jashtëm të SHBA-së, Marco Rubio ka pasur “përparime të mëdha”. Është përpiluar një dokument bazë dhe janë kufizuar disa pika të diskutueshme, tha Rubio në një konferencë shtypi pas bisedimeve me përfaqësuesit e Ukrainës.
Në konturim një dakordësim së shpejti
Dokumenti është duke u përpunuar vazhdimisht. Ai tha, se është “shumë optimist”, që “shumë shpejt” do të mund të arrihet një dakordësim. “Sot ishte dita më produktive, që kemi pasur deri tani”, tha kryediplomati i SHBA-së.
Sa u përket çështjeve të hapura ato kanë të bëjnë p.sh. me rolin e ardhshëm të BE-së dhe të NATO-s si dhe se çfarë garancie sigurie do t’i jepen Ukrainës. Të tjera detaje Rubio nuk donte të përmendte, pavarësisht se disa herë iu shtrua kjo pyetje. Por asnjëra nga çështjet e pasqaruara nuk është e pakapërcyeshme, tha Rubio. Disa çështje janë me karakter semantik, të tjera kanë të bëjnë me nivelet e larta të vendimmarrjes.
Rubio: Në fund duhet të miratojnë presidentët
Lidhur me ecurinë e mëtejshme Rubio tha, se: “Në fund duhet të miratojnë presidentët tanë, por jam me shumë besim, se kjo do të ndodhë, nisur nga përparimet, që kemi arritur.” Edhe pala ruse duhet ta miratojë planin. I pyetur nëse ka një deadline, ministri i Jashtëm i SHBA-së u përgjigj vakët: Dëshirohet në rastin ideal deri të enjten të arrijhet në një përfundim – ndoshta edhe më përpara ose më vonë, tha Rubio.
Delegacionet e SHBA-së,Ukrainës dhe të disa shteteve europiane, ndër to edhe Gjermania, të dielën në Gjenevë nisën bisedime lidhur me planin prej 28 pikësh të parashtruar nga SHBA për fundin e luftës në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj i vlerësoi pozitive bisedimet në Gjenevë. “Ka sinjale, që ekipi i presidentit Trump na dëgjon ne”, tha ai në fjalimin e tij të mbrëmjes përmes videokonferencës.
Plani fillestar përmban lëshime ndaj Rusisë
Në versionin e tij fillestar plani përmban lëshime ndaj kërkesave kryesore të Moskës duke tejkaluar vijat e kuqe të formuluara prej kohësh nga Kievi. Në plan kërkohen lëshime të dhimbshme nga Ukraina si shkëputja e territoreve në lindje, kufizimi i trupave ushtarake dhe heqja dorë prej anëtarësimit në NATO. Presidenti i Ukrainës Zelenskyj e hodhi poshtë draftin e planit të SHBA-së të premten he deklaroi se do të parashtrojë “alternativat”. Edhe europianët kërkuan përmirësime.
Në mbrëmje për bisedimet në Gjenevë presidenti i parlamentit të Ukrainës Andrij Jermak u shpreh, se është bërë “përparim i mirë”. Sipas të dhënave të shefit të këshillit ukrainas të sigurisë, Rustem Umerov, ndërkohë në versionin e përpunuar të planit janë marrë parasysh disa nga “prioritetet më të rëndësishme të Ukrainës”.
Trump akuzon Ukrainën për mosmirënjohje
Pak para takimit në Gjenevë presidenti i SHBA-së Donald Trump në një postim të gjatë në platformën e vet Truth Social akuzoi Ukrainën për mosmirënjojeje për ndihmën ushtarake të SHBA-së. Ai nuk shprehu kritikë ndaj Rusisë. Trump iu adresua edhe aleatëve të SHBA-së në Europë. ‘Udhëheqja’ ukrainase „nuk ka shprehur asnjë mirënjohje për përpjekjet tona, dhe Europa vazhdon të blejë naftë nga Rusia”, shkruan ai. Pas publikimit të mesazhit nga Trump, presidenti ukrainas Zelenskyj theksoi, se është mirënjohës për përpjekjet e sigursë të drejtuara nga SHBA-ja. “Thelbi i të gjithë situatës diplomatike konsiston në faktin, që Rusia, dhe vetëm Rusia, e ka nisur këtë luftë”, shtoi ai. DW




