Delegacioni Evropian në Shqipëri ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, ku i pranishëm ishte kreu i SPAK, Altin Dumani, si edhe zëvendësdrejtori i njësisë për strategjinë dhe koordinimin e zgjerimit në DG ENEST, Giulio Vennerin.
Bëhet me dije se Dumani gjatë takimit ka renditur disa nga vështirësitë kryesore me të cilat përballet SPAK, ku ai veçoi mes të tjerash menaxhimin e presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm nga politika, por sidomos nga krimi i organizuar
Postimi i Plotë:
Një diskutim i frytshëm javën e kaluar në një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel, Qendra Evropiane e Politikave (European Policy Centre), me Altin Dumanin, Kryeprokuror i Posaçëm i Shqipërisë, dhe Giulio Vennerin, Zëvendësshef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG ENEST), vuri në dukje rolin kyç të SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut. “Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik,” u shpreh ai.
Venneri nënvizoi se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ndërtuara mbi arritje konkrete, forcimin e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj,” tha Venneri.




