Një 30-vjeçare shqiptare është arrestuar në Belgjikë pasi kishte kthyer banesën e saj në një plantacion të kanabisit të kultivuar profesionalisht.
Gjatë kontrollit të policisë në Wellen, u zbuluan 125 bimë kanabisi në disa dhoma të banesës.
Policia tha se bimët ishin jashtëzakonisht të gjata dhe gati për korrje, ndërsa të dhënat tregojnë se plantacioni kishte funksionuar për një kohë të gjatë.
E reja shqiptare u dërgua përpara gjykatës dhe aktualisht ndodhet në burg.
Në të njëjtën ditë, një gjykatë në Leuven dënoi gjashtë shqiptarë të tjerë për kultivim, posedim dhe shitje të kanabisit në kuadër të një organizate kriminale.
Dënimet varionin nga 12 muaj deri në 40 muaj burg, duke përfshirë edhe gjoba nga 8,000 deri në 20,000 euro.
Për më tepër, ata duhet të paguajnë 42,000 euro dëme ndaj kompanisë energjetike për vjedhjen e energjisë elektrike.
Rastet e fundit vijnë pas një vale arrestimesh të shqiptarëve të përfshirë në trafikun dhe kultivimin e kanabisit në Belgjikë, duke nxitur shqetësim për përhapjen e këtij fenomeni në vend.




