Vizita e Dumanit në Bruksel, SPAK ndërton ura bashkëpunimi me BE-në dhe Amerikën Latine

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka vlerësuar këtë të martë, më 25 nëntor, përfaqësimin e Shqipërisë nga kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani në një takim trilateral të nivelit të lartë mes Bashkimit Europian, Amerikës Latine dhe Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Bruksel javën e kaluar.

Kjo është herë e parë që zhvillohet një format i tillë, i fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Në aktivitetin e organizuar nga Komisioni Europian morën pjesë më shumë se 100 përfaqësues, përfshirë delegacione nga 18 shtete anëtare të BE-së.

Në këtë takim, Dumani theksoi “rezultatet konkrete të SPAK, të arritura në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Agjencitë e BE-së, në identifikimin dhe analizimin e komunikimeve të enkriptuara të përdorura për koordinimin e aktiviteteve të paligjshme. Ky bashkëpunim ka çuar në arrestime të rëndësishme në Shqipëri dhe në gjithë Evropën, si dhe në goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare, përfshirë ato me lidhje në Amerikën Latine”.

Mesazhi i tij, se vetëm një përgjigje e koordinuar mund të japë rezultate kundër rrjeteve kriminale që veprojnë globalisht, u përforcua fuqimisht si nga përfaqësuesit e BE-së, ashtu edhe nga pjesëmarrës të tjerë.

“Ata ranë dakord për nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë gjyqësor dhe policor, përfshirë ndarjen e inteligjencës, hetimet financiare dhe analizën, si dhe punën e përbashkët në ekipe të përbashkëta hetimore”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së.

Sjellim gjithashtu ndërmend se në një tryezë të zhvilluar në Bruksel, nga European Policy Center, mbi sundimin e ligjit në veprim dhe roli i SPAK në avancimin e ambicieve të Shqipërisë për në Bashkimin Europian, Dumani rrëfeu se gjatë punës 6-vjeçare nuk kanë munguar kërcënimet nga krimi, apo edhe presionet e politikës ndaj prokurorëve.

“Vështirësi është menaxhimi i presioneve dhe i kërcënimeve të ndryshme nga politika, krimet, prokurorët e SPAK janë me përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione. Janë dhe maturuar dhe përballojnë këto presione.”, tha ai. Sipas Dumanit, pavarësia e institucionit ka qenë çelësi i fuqizimit të SPAK, i cili sot gëzon rreth 70% besim publik.

Dumani shprehej se SPAK ka arritur të ndërtojë një koalicion të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar me vendet partnere, por edhe në Amerikën Latine.

Share This Article