Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka përshkruar atmosferën festive që ka përfshirë Kosovën ditëve të fundit në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Ai u shpreh se është pritur kudo në aktivitete festive, nga kopshtet e fëmijëve e deri te shkollat, bizneset dhe institucionet shtetërore.
“Dita e 28 nëntori në Kosovë ka filluar ditë më parë ku është festuar kudo. Kam qenë i pranishëm në shumë takime festive duke nisur që nga kopshtet fëmijëve, në shkolla, institucione, biznese. Të gjithë festojnë këtë ngjarje të rëndësishme sikurse është dita e Pavarësisë, apo ngritja e Flamurit në Vlorë që për ne shqiptarët është datë e rëndësishme dhe që ka marrë tashmë konotacionin që ne pa të nuk jetojmë dot. Ky flamur na ndez shpirtin”, tha Malaj.
Ai rikujtoi domethënien historike të kësaj dite, duke përmendur ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në vitin 1443 dhe aktin e Pavarësisë të shpallur nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912.
“Ngritja e tij në 1443-shin për herë të parë nga Skënderbeu në Krujë i ndezi zemrat e shqiptarëve por ajo që bëri Ismail Qemali më pas në 1912 në 28 Nëntor, ishte një zjarr tjetër në zemrën e çdo shqiptari për të ëndërruar një Shqipëri të lirë e të pavarur”, tha Malaj.
Ai tregoi se mbrëmjen e kaluar ka marrë pjesë në festimet në Shkodër, duke e përshkruar atmosferën si të mrekullueshme.
Sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, Malaj theksoi se ato ndodhen në pikën më të lartë historike.
“Marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë nuk kanë qenë kurrë më të mira. Shkëmbimet ekonomike, tregtare, në arsim, siguri dhe mbrojtje janë në nivelin më të lartë. Synimi ynë është që këtë marrëdhënie ta shtyjmë edhe më tej, jo vetëm shpirtërisht, por edhe praktikisht”, u shpreh ambasadori.




